lunedì 16 luglio 2018

Kush e di...

   Mbylla tri dosje me unaza dhe 1 fletore me kuadrata. Me kuadrata se une s’kam qene kurre njeriu qe zgjedh vijat. Keto merren prej te sakteve, atyre qe shkojne ne orar ne takimet ku te gjithe jane me vonese. Une s’jam e sakte, e shumta e shumta e perpikte behem.
   Sic po thoja, mbylla librat dhe ne te djathte te nje flete po prape me kuadrata te keqshkruar shenimesh pashe nje mize te ngordhur. Nga ato te kalit. Te pakten keshtu i kam degjuar te cilesohen. Jo se kam ndonje mol empatie per mizen, por nder gjerat qe s’mbaj me mend ishte dhe ajo qe ta kisha vrare.  Ishte e shtypur ne fragmente te brishta e te pasigurta te vetes. Gjynah.
  Per here te pare ne jeten time po i jepja nje cast ndergjegjeje nje mize. Kushedi si e ke patur emrin, kushedi kush ta perzgjedhur dhe ne te ka renduar. Eden per shembull eshte nje emer pikenisjesh shume pasojash. Duke e mbartur eshte rreziku i te paturit probleme megalomanie ose antitetike, ato te pamjaftueshmerise. Do te me bente mire t’i njihja keto te fundit ndonjehere. Kushedi ne im ate ishte I papergjegjshem kur ma vuri ose thjesht guxues. Dhe kushedi si do ishte jeta ime nese do isha ndonje Lize, Mari apo Nadja.
   Kushedi si e ke patur ankthin, ne ka qene frikac apo metafizik; konstruktiv apo destruktiv. Kushedi ne ke patur ankth nje here. A ke patur makthe? A je bere ndonjehere vete makth i ndokujt? Nga ata qe s’ka kolinoz te shplaje? Kushedi ne te ka ndryshkur frika, ne je mbyllur trishtmerisht ndokund si nje cader e njomur, apo ne ke humbur me shume se 5 minuta ne nostalgji te likuiduara? Neveria te ka cikur? Uroj te mos. Eshte nje nga ato ndjenjat se ciles nuk ia koncepton dot ekzistencen deri sa te shtrengon si dare nen ulerima. Vjen paralelisht me nje koktejl shpifjeje, ndotjeje, peshtirlleku ne mos dhe urrejtjeje. Uroj te mos te te kete ndjelle kurre asnje lloj grushti shemtie kete krupe. Nuk eshte e drejte qe nje mize te ndjeje aq vrere, as nje njerezor per ate pune. E leme.
   Te te pyes, ne cfare frekuencash jetoje ti? Te larta apo te uleta? Apo ishe njeri te mesmesh? Vete propagandoj te dyten, po jam rob i te parave. Po qeshja jote si ishte? Une buzeqesh gjithnje e nuk qesh kurre, pervec rasteve kur binjaket I punojne rrengun e disajte prinderve te mi. Ja nje gje qe do i ndryshoja vetes. Do te doja te qeshja ca me shume. Po ti cfare do i? Po kur ishe e lumtur a kerceje? Apo fluturoje ne rrathe te medhenj te medhenj? A te pelqente dielli, e ngrohta, e verdha, jugu? Mua fort. A ja ke njohur jeten e thjeshte dikujt mes oraresh e alergjish te tijat? A ke dashur ti? Si dashuroni ju mizat? Kushedi ne improvizoheni blete a flutura e pudroseni ne polene lulesh. A ke qene e lumtur? Uroj qe po. Ndoshta une aludova premisa shume pretenduese  per nje mize kaq te vogel. Merzitja, turbullimet, dashuria jane pengje njerezoresh. Ndoshta jeten e ke patur me pak te nderlikuar se kaq, te permbledhur ne shume rrahje krahesh e rrathe nder dhoma njerezish, shtepish e telashesh. Ama e lumtur e ke patur detyrim te jesh. Qofte nje here te vetme. Pavaresisht se ne fund vendose te thermohesh ne copen e letres se shenimeve te mia.
   Kur u kthjellova numerova plot 6 minuta humbura ne kete perrua mendimesh mbi jeten e nje mize. Ngrita librat dhe i vendosa ne raftin e lendeve te mbyllura. Kenaqesi kjo. Ngrita syte dhe pashe pirgun e teshave qe duhet te perzgjidhja per kete vere. Duhet te mbyll nje valixhe qe ende s’kam hapur. Kenaqesi edhe me e madhe kjo. Dielli, kripa dhe Mesdheu me bejne mire gjithnje. Jugu me teper. Pushime me ne fund.

   Kush e di ne mizat kane te tilla. Kush e di…

Nessun commento:

Posta un commento